Adrian Paci
Adrian Paci ka kaluar vite duke shqyrtuar e rishqyrtuar se ç’ndjenjë është me bredhë nëpër botë. Duke punuar kryesisht me video e pikturë, ka zhbiruar se ç’do të thotë të largohesh e të kthehesh, të duash të largohesh por të përmbahesh, të largohesh e të tretesh, të mbetesh, të vendnumërosh, të baresësh. The Wanderers [Endacakët], i vendosur në Shqipërinë rurale, kontraston dy mënyra të ecuri, dy mënyra të lëvizuri e të qeni. Ndërsa videoja bardhezi shfaq njerëz e kafshë që hyjnë e dalin kuturu nga kuadri me lëvizje të ngadalësuar, videoja me ngjyra jep një procesion të inskenuar njerëzish që qëllimisht hapërojnë në drejtim të shikuesit: drejt një qëllimi të panjohur, një vendi të panjohur. Tensioni ndërmjet dy përkohshmërive dhe grupeve të pamjeve e shkapërcen kontekstin shqiptar të veprës. Ai evokon figurën letrare ose filozofike të endacakut, qenie njerëzore e flakur në gjithësi, po aq sa evokon atë të mërgimtarit.
Adrian Paci (1961, AL) është një regjisor dhe artist i cili jeton dhe punon në Milano.
Ka dy aspekte të rëndësishme në praktikën e tij artistike. E para është procesi i transformimit të vazhdueshëm, pjesë e të cilës është e gjithë shoqëria. E dyta është pyetja se çfarë mbetet pas gjithë këtyre transformimeve. Puna e Pacit është shpesh e vendosur në mes të këtij tensioni delikat. Puna e tij mund të përshkruhet si ruajtje e së shkuarës që ka kaluar përmes një procesi transformativ, por i cili akoma na lejon të imagjinojmë të ardhmen.
Works
Adrian Paci
The Wanderers
2021
Video-instalacion me dykanalëshe
Mundësuar falë artistit, kaufmann repetto, Milan, Nju Jork dhe të Galerisë Peter Kilchmann, Zyrih