Ju prezantojmë me Observatorin e Prishtinës!

30.03.2022

Prej 22 korrikut, Observatori i Prishtinës do të jetë një hapësirat e kësaj bienaleje si pjesë e programit të Manifesta 14! 

Observatori është pjesë e kompleksit të ndërtesave të Pallatit të Rinisë dhe u ndërtua në dedikim të zbulimeve, kërkimeve shkencore dhe si hapësirë për edukim. Kjo ndërtesë u hap në fund të viteve ‘70  për hulumtues të rinj  dhe kërkues shkencorë duke sjellë kësisoj një periudhë të re për komunitetin shkencor në Kosovë. Kupola e saj u dha qytetarëve të Prishtinës një pamje të yjeve, planeteve, meteoriteve. 

Observatory of Prishtina © Manifesta 14 Prishtina

Në vitet e 70-ta dhe 80-ta, Prishtina përjetoi një fluks ndërtimesh arkitekturore të cilat sollën forma alternative të jetesës, kalimit të kohës e zhvillimeve të pasioneve si dhe punës. Gjatë kësaj kohe, qyteti ndryshoi jo vetëm pamjen, por edhe mënyrën e të jetuarit. Observatori ishte pjesë e këtij ndryshimi. 

Observatori nuk ka qenë në përdorim  për dekada, por kjo hapësirë është rikthyer tanimë nga Klubi Astronomik i Kosovës. Prej vitit 2014, ky klub punoi në revitalizimin dhe në pajisjen e kësaj ndërtese me teleskopë, për ta bërë të gatshme për t’u rihapur prap për të parë yjet. 

Këtë verë, kjo ndërtese e bukur do të rihapet për publikun për një ndërhyrje artistike gjatë 100 ditëve të Manifesta 14 Prishtina.  

Ndiqni faqet tona për të zbuluar hapësira të tjera të Manifesta 14 Prishtina dhe për t’u njohur me listën e plotë të pjesëmarrëve në javët në vijim.