Programi i Ndërmjetësimit
Propozuar nga ekipi i edukimit i Manifesta 14, programi është një iniciativë ndërmjetësuese mes programit kryesor kuratorial dhe qytetit të Prishtinës. I frymëzuar nga takimet me skenën vendore, ky program synon të vërë në dyshim dhe të përshtatë praktikën e ndërmjetësimit kulturor dhe artistik në kontekstin e Kosovës në kuadër të Manifesta 14.
Programi fillon në shkurt 2022 me seancat mësimore të shkollës së Ndërmjetësimit. Sesionet do të fokusohen në eksplorimin dhe reflektimin rreth projektit të Manifesta 14 në kontekstin historik dhe socio-kulturor të Kosovës, si dhe në bashkë-zhvillimin e qasjeve ndërmjetësuese me kontributin e ekspertëve të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë që do të vihen në praktikë kur Manifesta 14 do të hapet për publikun.
Termi ndërmjetësim i artit në përgjithësi i referohet procesit të përvetësimit ose negocimit të njohurive në kontekste artistike duke përfshirë krijimet artistike, institucionet, kontekstin social dhe njerëzit që ndeshen me këto mjedise.
Ndërmjetësimi kulturor dhe i artit bazohet në shkëmbimin dhe reagimin krijues dhe sugjeron trajtimin e çdo personi si ekspert në përvojën dhe kulturën e tyre. Kjo kundërshton idenë e zakonshme të edukimit si transferim i njohurive “objektive” nga një person më i informuar në një person më pak të informuar.
Si pjesë e programit të edukimit të bienales, praktikat e ndërmjetësimit synojnë krijimin e hapësirës për dialog kuptimplotë midis programit të bienales dhe audiencës së saj, banorëve të qytetit nikoqir dhe vizitorëve ndërkombëtarë.
Në çdo qytet nikoqir, Manifesta eksploron praktikat dhe historitë ekzistuese në fushat e ndërmjetësimit kulturor, prodhimit të njohurive dhe edukimit, duke imagjinuar qasje të mundshme së bashku me një ekip lokal ndërmjetësuesish.