Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut mbështet renovimin dhe revitalizimin e Bibliotekës Hivzi Sylejmani.
Sot, Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut ka konfirmuar mbështetjen e saj bujare për renovimin e Bibliotekës Hivzi Sylejmani, në shumën prej 300,000 €. Ky donacion do të ndahet për transformimin e objektit në një lokacion për bienalen Manifesta 14 ashtu edhe në një hapësirë afatgjate kulturore dhe arsimore për komunitetin dhe qytetarët e Prishtinës.
E ndërtuar në vitet 1930, Biblioteka Hivzi Sylejmani është një objekt i trashëgimisë kulturore së fillimit të shekullit të 20-të. Aktualisht në gjendje të rëndë, ish-biblioteka në qendër të Prishtinës pati një ndikim të rëndësishëm në identitetin dhe zhvillimin intelektual të qytetarëve të Prishtinës. Nëpërmjet hulumtimit parabienal të Manifesta, u zbulua se shumë prishtinas kanë kujtime të bukura nga kjo hapësirë.
Gjatë muajve të ardhshëm dhe falë partneritetit, Biblioteka Hivzi Sylejmani do të shndërrohet nga një ndërtesë e braktisur në “Qendrën për Praktikë Rrëfyese”. Një komponent qendror i konceptit bienal ndërdisiplinor të Manifesta 14 ‘ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe,’ të Ndërmjetësueses Kreative Catherine Nichols, qendra e re do të përfshijë një arkiv, një hapësirë për fëmijë dhe edukim, studio prodhimi teknik dhe ndërhyrje artistike .
Biblioteka e konvertuar Hivzi Sylejmani do të jetojë përtej kohëzgjatjes së programit 100-ditor të Manifesta 14. Duke u bërë një institucion i ri ndërdisiplinor, do të jetë një trashëgimi e qëndrueshme për Prishtinën. Kjo do të sigurojë një ndryshim pozitiv dhe afatgjatë në peizazhin social dhe kulturor të Prishtinës, që është një nga qëllimet kryesore të Manifesta 14.
Duke bashkëpunuar me Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Manifesta rilidhet me një nga edicionet e saja më të hershme. Në vitin 1998, Luksemburgu ishte qyteti nikoqir i Manifesta 2. Falënderimet e veçanta të Manifesta shkojnë për zonjën Natacha Gomes, Shefe e Misionit në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë për angazhimin dhe mbështetjen e saj.
Realizimi i renovimit dhe revitalizimit është bërë i mundur përmes bashkëpunimit të Manifesta 14, Komunës së Prishtinës, Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe UNDP-së Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.