Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin – Petrit Halilaj

25.06.2022

Të dashur njerëz të Prishtinës dhe rrethinës,

Jam fort i gëzuar me u kthy në Prishtinë me një projekt të ri! Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin do të jetë një gjithësi, të cilën ju ftoj ta pikturojmë dhe ndriçojmë bashkë më 22 korrik. Puna do të fillojë me shkronjat në maje të Grand Hotel Prishtina, me yjet e tij— të cilat tash për tash janë të shkapërderdhura në kulm të kësaj ndërtese dhe të cilat do të rimontohen, shumohen dhe të shpërndahen nëpër krejt qytetin.

Grand Hoteli është monument historik dhe arkitekturor i qytetit tonë; ai shërben si rikujtim për historinë e Kosovës në ish-Jugosllavi dhe për pasojat e saj. Ai na kujton kohë të errëta, kur është shfrytëzuar nga forca shkatërruese, por gjithashtu pasqyron kohët e reja, të shquara nga një lloj indiference ndaj pikave të rëndësishme të kujtesës kolektive.

Të gjitha ndryshimet dhe shndërrimet që ka përjetuar shoqëria jonë pasqyrohen në këtë vend, i cili mund të shihet si portret i vetë Prishtinës. Sot, ne kemi mundësinë unike të përfytyrojmë Prishtinën e të ardhmes. Qysh nga viti 2010, yjet që dikur shkëlqenin nuk janë ndezur më. Ato janë hequr një nga një si pasojë e venitjes së hotelit.

Këto yje të rëna e të shpërndara në kulmin e Grand Hotelit i kam parë për herë të parë si imazhe që m’i ka dërguar shoqja ime e shtrenjtë Nita Deda. Ajo po xhironte një video për Manifesa 14, dhe kështu shkrepi shkëndija e parë e projektit. Menjëherë i asociova këto yje me ideologji të rëna.

Në të njejtën kohën, mendova për Prishtinën si një vend të ri, në të cilin edhe unë kam rënë nga një katund i vogël që quhet Runik, dhe se si ndihem i lidhur me këtë qytet përmes njerëzve të vet: miqësitë janë mënyrë për të ndërtuar tregime të reja dhe për të krijuar përkatësi. Ndoshta duhet ta shfrytëzojmë mundësinë që këto monumente në rënie ofrojnë për të ëndërruar një realitet të ri dhe të dalë nga rrënojat? A mund të luajmë një lojë shprese dhe t’u shprehim dëshira këtyre yjeve që bien?

Për këtë projekt jam frymëzuar nga një ese e shkruar nga prishtinasja Njomza Vitia kur ishte 12 vjeçe: Kur dielli të ikë, do ta pikturoj qiellin. Ky shkrim flet për tensionin që ndien një fëmijë në botën e të rriturve dhe për ndjenjën që shoqëria po ia fundos ëndrrat. Por poashtu, ai përçon shpresat dhe vizionin energjik të saj për të ardhmen. Pyes veten nëse mund t’i asiociojmë fjalët e saj me yjet duke bërë që ato t’i ndriçojnë yjet përsëri si një brushë që pikturon qiellin?

Pyes veten nëse shkronjat e Grand Hotel Prishtina mund të riorganizohen dhe të plotësohen për të formuar një fjali të re, një mesazh poetik që mund t’i jep një ndriçim të ri qytetit? Duke shndërruar “pikturoj” në “pikturojmë”, dëshira personale është bërë dëshirë kolektive; duke i shumuar pesë yjet, një hotel i venitur mund të riimagjinohet si diçka e re dhe plot jetë.

Kjo letër është ftesë për të gjithë Ju. Një ftesë që t’i vendosni yjet nëpër hapësirat tuaja, në ballkone, në dhoma, në dritare a në oborre. Dua t’ju pyes: a mund t’i rikthejmë yjet në mënyrë që të rimarrim hapësirën tonë — një hapësirë që veç është aty, por tek e cila mund të shikojmë përsëri me guximin që të krijojmë një tregim të ri, që ta rrëfejmë këtu dhe tash?

I frymëzuar nga dëshira për ta parë një qiell të ri mbi Prishtinën, i cili është i mundur vetëm në bashkëpunim me Ju, unë kam përpiluar një udhëzim të thjeshtë që mund të përdoret nga të gjithë për të krijuar yje shndritës.

Përmes këtij udhëzimi, që mund të ndiqet vetëm ose me të tjerë, në shtëpi ose në shkollë, online ose në rrugë, ne do të krijojmë yjet tanë dhe do të pikturojmë një qiell të ri përmes një procesi intim dhe të përbashkët të të rrëfyerit.

Ju inkurajoj të gjithëve të jepni interpretimet tuaja për dizajnin, të prodhoni turli variacionesh kreative të trajtave të yjeve dhe t’i vendosni përbrenda ëndrrave tuaja më utopike. Dua t’i ndaj këto histori dhe të shqyrtoj se çfarë përfaqësojnë dhe simbolizojnë yjet — nga origjina e tyre mitologjike deri te konotacionet politike.

Nëse bëni yje dhe i ekspozoni në shtëpitë tuaja ose në ndonjë vend ku mund të shihen nga kalimtarët, ato do të bëhen pjesë e hapësirës tonë publike. Kështu mund t’i takojmë këto yje në vendet më të papritura — në ato që kanë domethënie për ne, ose edhe në ato që i vëmë re për herë të parë — duke formuar një yjësi që do të përhapet në qytetin e Prishtinës dhe përtej saj.

Ky projekt nuk është i paramenduar si vepër e përhershme ose si monument, por si një moment që e ndajmë bashkë. Pas përfundimit të Manifesta 14, shkronjat do t’i kthehen Grand Hotelit. Yjet do të errësohen dhe do të shtrihen përsëri në kulm të hotelit, për të fjetur dhe për të pritur, si më parë. Në të ardhmen, ky projekt mund të na vijë ndër mend çdo herë që shohim shkronjat e vjetra të hotelit dhe paramendojmë yjet e fshehura, ndërsa çfarë do të mbetet janë përvoja dhe ëndrrat e përbashkëta.

Kam shpresë se do të më bashkoheni për të xixëlluar këtë qiell të ri më 22 korrik!

 

Përzemërsisht,

Petriti

 

‘Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin’ është porositur nga Manifesta 14 dhe mbështetet nga Autostrada Biennale dhe Ammodo. Projekti është konceptuar nga Studio Petrit Halilaj dhe realizohet nga Grafx Studio.

Shkrimi nga Njomza Vitia është pjesë e librit Miku Im (2014). I falënderohem Departamentit të Edukimit të Manifesta 14 dhe gjithë pjesës tjetër të stafit të saj, që kanë gjetur librin gjatë renovimit të bibliotekës Hivzi Sylejmani,

Ndiq këto hapa për të krijuar një yll:

Për të gjitha risitë: