Konsultimet me Qytetarë po mbahen në Prishtinë!
Konsultimet me Qytetarë të Manifesta 14 Prishtina janë duke u zhvilluar në Prishtinë! Gjatë muajit tetor, Departamenti i Edukimit të Manifesta 14 po zhvillon Konsultime me Qytetarë në vende të ndryshme në qytet. Të krijuara në bashkëpunim me komunitete dhe grupe të ndryshme në Prishtinë, punëtoritë janë dizajnuar dhe konceptuar nga Studio L A, e bashkë-themeluar nga arkitektja boshnjake-holandeze Arna Mačkić dhe arkitektja holandeze Lorien Beijaert.
Duke hulumtuar strukturën shoqërore të Prishtinës përmes bisedës, këto diskutime synojnë të eksplorojnë temën qendrore, “kultura e kujt?”. Ato janë pjesë e një qasjeje pjesëmarrëse në programimin bienal, pasi idetë dhe temat që dalin formojnë themelin rreth të cilit është ndërtuar programi. Në mënyrë të veçantë, këto punëtori kërkojnë të kuptojnë mënyrat se si kultura(t) kuptohen dhe praktikohen nga komunitete të ndryshme në Prishtinë, si dhe qëndrimet dhe ndjeshmëritë e njerëzve vendas ndaj politikave socio-kulturore, arsimore dhe zhvillimore të qytetit të tyre.
Qëllimi kryesor është zgjerimi i marrëdhënieve ekzistuese midis organizatave kulturore dhe audiencave të tyre dhe hapja e diskutimeve të reja midis komuniteteve dhe institucioneve të ndryshme. Rezultatet e këtyre bisedave do të jenë të qasshme për publikun dhe do të jenë pikënisje për programin dyvjeçar të Manifesta 14 Prishtinë 2022.
Këto punëtori organizohen në bashkëpunim me Ngo Aktiv, Termokiss dhe facilitohen nga ARS – Applicative Research Solutions.