Ju prezantojmë me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve

24.05.2022

Manifesta 14 Prishtina ka prezantuar plot hapësira në kryeqytetin e Kosovës ku do të mbahet Bienalja Nomade Evropiane. Për 100 ditë do të zhvillohen ndërhyrje, ekspozita dhe evente kulturore duke nisur prej 22 korrikut 2022. Hapësira që do t’ju prezantojmë sot është jo vetëm hapësirë në hartën e Manifesta 14, por gjithashtu vendi ku janë vendosur zyrat e kësaj bienaleje. 

Pallati i Rinisë dhe Sporteve ka një strukturë të jashtëzakonshme duke qenë dhe simbol i qytetit të Prishtinës, ku janë mbajtur shumë aktivitete ndër vite. Kjo hapësirë është për shumë njerëz vendtakim, skenë, një vend ku të rinjtë formësohen artistikisht, e mbi të gjitha vend që shenjon identitetin e këtij qyteti. 

Vendimi për ta ndërtuar Pallatin e Rinisë dhe Sporteve u bë përmes një referendumi publik. Një pjesë e buxhetit u sigurua nga qytetarët e Prishtinës, duke mundësuar kësisoj vijimin e ndërtimit të këtij objekti. 

@ Manifesta 14 Prishtina

Ndërtimi i këtij kompleksi nisi më 1977 për t’u hapur për qytetarët katër vite më vonë nën emrin Pallati i Rinisë dhe i Sporteve “Boro dhe Ramiz”. Kjo ndërtesë u projektua dhe u ideua prej Živorad Janković. 

Emërtimi i kësaj ndërtese flet edhe për përdorimet e saj.  Sot, ende përdoret për hapësirat e saj sportive ku shumë skuadra luajnë ndeshje dhe janë trajnuar shumë sportistë të Kosovës. Salla e Kuqe dhe Salla e Ateliesë janë hapësira ku komuniteti kulturor mblidhet për të ndjekur muzikë klasike dhe forma të ndryshme artistike. 

Me secilën ditë që kalon, shkruhen histori të ndryshme në historinë e kësaj ndërtese. Tanimë Pallati i Rinisë dhe Sporteve mban përbrenda një gjimnaz, zyra për publikun, parking dhe një qendër tregtare. Njëra prej hapësirave më të njohura e që ka qëndruar në kohë në këtë qendër tregtare është dyqani i akulloreve Elida, një vend që ende mban traditën e ëmbëlsirave, dekorin dhe eksperiencën të cilën ofron. Platoja e këtij Pallati mban koncerte dhe panaire në çdo kohë e gjithashtu është një hapësirë që frekuentohet shumë nga të rinjtë që Prishtinën e konsiderojnë shtëpinë e tyre. 

Si një prej hapësirave të Manifesta 14 Prishtina, Pallati i Rinisë dhe i Sporteve simbolizon shprehjen e lirë dhe traditën e kolektivitetit. Përgjatë Manifesta 14 Prishtina, do të ketë edhe më shumë aktivitete gjithëpërfshirëse kulturore në këtë vend emblematik.