Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të jetë një nga hapësirat e Manifesta 14 Prishtina.
Manifesta 14 Prishtina vazhdon të shpërfaqë tregimet dhe historitë e secilës prej hapësirave në të cilat shumë pjesëmarrës do të prezantojnë punë të tyre, ekspozita dhe ndërhyrje artistike. Në rradhën e listës së hapësirave është një nga ndërtesat më të veçanta në Ballkan: Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Kjo bibliotekë është ndër institucionet librore më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit, me vendndodhje në Prishtinë, e cila reflekton jo vetëm vlera kulturore, por edhe arkitekturore. Për katër dekada ky institucion ndodhej në Prizren, e më pas u zhvendos në kryeqytetin e Kosovës më 1982 në kohën e zhvillimeve të mëdha arktitekturore dhe urbanistike në vend.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës u konceptua dhe projektua nga Andrija Mutnjakovic e qëllimi i tij ishte krijimi i një ndërtese që ndërthurte identitetin rural me mjete moderne.
Për shkak të natyrës së pazakontë të ndërtesës, duke qenë e mbuluar me strukturë rrjete metalike dhe kupola të shumta, duke numëruar 73 prej tyre, shpesh është parë simbolikisht si ndërthurje e elementëve tradicionalë e kulturorë në një hapësirë që përfaqëson dashurinë për dijen dhe lirinë.
Brendësia e kësaj biblioteke ofron hapësira të shumta për lexues, kërkues shkencorë dhe për gjithkënd që do të aksesojë mundësitë që ofron galeria e librave dhe e teksteve periodike.
Shumë dorëshkrime dhe tekste të rralla që datojnë prej shekullit të XVI janë të arkivuara në këtë bibliotekë duke e bërë një hapësirë të çmuar për prosperitet akademik dhe kërkim të detajshëm.
Përgjatë luftës, shumë libra, koleksione dhe publikime humbën, por me dedikimin e shumë dashuruesve të librave, librashitësve, lexuesve dhe pjesëtarëve të komunitetit, ky koleksion arkivor është tanimë në gjendje të optimizuar.
Një tjetër hap i rëndësishëm për këtë institucion është dhe aksesi online që iu ofron lexuesve kudo që nuk mund të shkojnë fizikisht në bibliotekë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës ofron një sektor të digjitalizuar të gazetave dhe koleksioneve të librave që gjithësecili mund t’u qaset.
Përgjatë verës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës si hapësirë e Manifesta 14 Prishtina do të paraqiten ndërhyrje artistike e ndërkaq të gjithë janë të ftuar të vizitojnë Prishtinën dhe të njihen me vlerat e çmuara të këtij qyteti.