Grand Hotel do të jetë një nga hapësirat kyçe të Manifesta 14

17.03.2022

Teksa i afrohemi momentit të shpalljes së pjesëmarrësve tanë, ne do të vazhdojmë të shpalosim hapësirat e Manifesta 14 Prishtina. Prej datës 22 korrik, Grand Hotel do të kthehet në një prej hapësirave tona kryesore në të cilën do të prezantohen ndërhyrje artistike, evente dhe ekspozita. 

Manifesta 14 Prishtina ka si temë kryesore rrëfimtarinë dhe rikthimin e hapësirave publike. E në fakt nuk ka vend më të mirë se sa Grand Hotel për të shfaqur historinë e Kosovës dhe të vendosurit të saj në mes narrativash që kanë kahje në të ardhmen e Prishtinës e më tej.  

E vendosur në qendër të qytetit, kjo ndërtesë embamatike e mermertë dallohet menjëherë në qiellin e Prishtinës. Grand Hotel u ndërtuar mes viteve 1974-1978 nga arkitektët Bashkim Fehmiu, Dragan Kovačević dhe  Miša Jevremović, me 32.000 m2 dhe 350 + dhoma të madhësive të ndryshme. Fehmiu, i pari kosovar i diplomuar në arkitekturë, me këtë godinë solli një frymë të re se si mund të të ndërtohen e jetohen hapësirat publike. Shumë shpejt u kthye në vendin parësor për shumë figura të njohura të politikës ndërkombëtare. Përveç politikanëve, ishte vendi ku takoheshin gazetarët ndërkombëtarë dhe ku u organizuan ngjarje kulturore ndër vite.

Hotel Grand u konsiderua si një nga hotelet më të mirë në rajon, duke shfaqur me krenari pesë yje pranë emrit të tij. Sot, historia e Grand Hotel është vështirë të përmblidhet në pak fjalë. Pas luftës u privatizua dhe tanimë është vendondhja e disa biznesve që prej palestave, agjencive turistike dhe klube të natës. Ky hotel ka ende vizitorë dhe dhoma të cilat mund të rezervohen, megjithëse ky hotel tanimë operon vetëm me 1% të kapacitetit të tij për të mirëpritur vizitorë. 

Grand Hotel Prishtina e trupëzon historinë e Kosovës pasi ka qenë vend-dëshmitar për gjithë ndryshimet politike, sociale dhe kulturore që kanë ndodhur ndër vite. Secili në Prishtinë ka një tregim që lidhet me Grand Hotelin, qoftë dikë që është martu, ka qëndru aty gjatë viteve ‘90, duke festu maturën etj. Shumë prej njerëzve kanë qënë së paku një herë në klubin e natës që ende është funksional në katin e sipërm të këtij hoteli.  

Si një prej hapësirave kryesore të Manifesta 14 Prishtina, ne shpresojmë që Grand Hotel do të sjellë tregime të reja në Prishtinë e do të jetë nikoqir për shumë ndërhyrje artistike për të cilat do të njoftoheni së shpejti.