Carlo Ratti Prezanton Vizionin Urban të Prishtinës

12.10.2021

Në Mars 2021, zyra e dizajnit dhe inovacionit CRA – Carlo Ratti Associati (Torino/New York City), e udhëhequr nga profesori i MIT Carlo Ratti, u zgjodh për të krijuar vizionin urban të Manifesta 14 Prishtina. Vizioni urban informon se si Manifesta 14 do të marrë trajtë brenda kontekstit lokal, por edhe të hulumtojë se si qyteti i Prishtinës mund të transformohet duke rimarrë hapësirën publike nga qytetarët e tij.

Vizioni urban i krijuar për Manifesta 14 Prishtina nga CRA-Carlo Ratti Associati ka krijuar themelin i cili do të çojë në zbatimin e një programi bienal të qëndrueshëm dhe eksperimental 100-ditor në Prishtinë dhe rajon.

Vizioni urban, i zhvilluar midis marsit dhe shtatorit 2021, thekson një vizion për rimarrjen e hapësirës publike në Prishtinë dhe mbështetet në dy shtylla. Shtylla e parë është metodologjia inovatore që është testuar në Prishtinë që nga pranvera e vitit 2021.

Urbanizmi open source (me burim të hapur) përpiqet të paraqesë një model alternativ për dizajnin pjesëmarrës urban. Koncepti i tij kryesor është përvetësimi dinamik i hapësirës publike, i zbatuar përmes një sekuence veprimesh të përkohshme të intervenimeve urbane. Ndërhyrjet urbane shpesh shfrytëzojnë elemente ekzistuese të strukturës urbane me potencial për të tërhequr jetën publike dhe për të qenë bazë për një hapësirë të gjallë publike. Disa nga këto element ekspozojnë situata ku hapësira publike veçse ekziston, megjithëse në një formë liminale: nga ndërtesat publike në hapësirat e mëparshme industriale, deri tek kafenetë dhe restorantet, tek shkollat dhe arkitektura e trashëgimisë.

Shtylla e dytë është analiza e hapësirës publike me Inteligjencë Artificiale (I.A), e cila ka qenë fokusi i punës së MIT Senseable City Lab në Prishtinë. Për dekada të tëra, projektues dhe urbanistë – me punën e William Whyte në Nju Jorkun e 197-tës që dallohej për vlerën e saj – kanë përdorur mjete teknologjike gjithnjë e më të sakta për të mbledhur të dhëna për jetën në rrugët dhe sheshet tona. Përdorimi i I.A hap një kapitull të ri në këtë histori, pasi lejon studiuesit të kenë një kuptim të saktë të fenomeneve që përndryshe do të ishin të vështira për t’u përcaktuar. Me zbulim të ndihmuar nga makineritë, ne mund të rrisim perceptimin tonë për hapësirën publike, duke u fokusuar në aspekte ose çështje specifike të cilat nga ana tjetër mund të frymëzojnë vendimet e planifikimit ose të projektimit. Në hapin e parë të këtij procesi, duke punuar ngushtë me një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës, studiuesit e MIT Senseable City Lab kanë zhvilluar një bazë të dhënash Prishtina Street View/Pamja Rrugore e Prishtinës – në vend të shërbimit të njëjtë ofruar nga Google, i cili pothuajse mungon plotësisht në Kosovë. Kjo aktualisht është duke u analizuar me I.A dhe do të vihet në dispozicion të publikut. Një kuptim më i mirë i hapësirës publike dhe logjikave të saj të fshehura mund të nxisë një qarkore virtuale për matjen e reagimeve qytetare, rezultati përfundimtar i të cilave mund të jetë një qytet më gjithëpërfshirës.

Së bashku, metoda e urbanizmit të hapur dhe njohuria e analizës teknologjike mund të tregojnë për mundësitë e të ardhmes alternative qytetare. Këto mund të mbështesin ata që po luftojnë dhe evokojnë për një ndjenjë më të fortë të hapësirës së perbashkët në betejën e vazhdueshme për hapësirën publike – në Prishtinë dhe më gjerë.