Prej Hivzi Sulejmanit tek OAZA
Në vitin 2021, Komuna e Prishtinës vendosi se ndërtesa e braktisur e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani” do të rehabilitohej për t’u kthyer në një nga ndërtesat e Manifesta 14 nën emrin Qendra për Praktikë Rrëfyese.
Ky proces i restaurimit nuk limitohet me renovimin e ndërtesës, por sjell në vëmendje historitë dhe lidhjet mes hapësirës dhe kujtesës. Çfarë zgjedhim të mbajmë, të rregullojmë, të rehabilitojmë e të kujtojmë dhe çfarë vendosim të fshijmë?
Rregullimi i së kaluarës materiale të një ndërtese nënkupton të përballesh me të kaluarën jomateriale – shoqërinë, kulturën, vlerat dhe kujtimet.
Është një proces interpretues dhe pjesëmarrës i vështrimit në të kaluarën për të zbuluar rrëfimet e përkatësisë që nuk mishërojnë asnjë histori, kujtesë apo identitet të vetëm, por që janë kumulative dhe të negociueshme.
Dokumentet arkivore në lidhje me historinë e bibliotekës janë jashtë mase të kufizuara, ndaj, ekipi i Edukimit të Manifesta 14 vendosi t’i qasej rehabilitimit të hapësirës, duke aktivizuar procese sociale si angazhimi me kujtesën e saj kolektive.
Fondacioni Shtatëmbëdhjetë u ftua të bashkëpunojë në (ri)ndërtimin e kësaj njohurie duke hulumtuar histori të ndryshme dhe kujtime të njerëzve që kanë punuar më parë në këtë institucion përgjatë viteve: anëtarë të bibliotekës, vizitorë dhe banorë të Prishtinës. Ky hulumtim u përfundua me një publikim në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe dhe do të jetë i qasshëm në hapësirën e Oaza të Qendrës për Praktikë Rrëfyese.
OAZA është emri i ri ish-dhomës së leximit të kësaj biblioteke. Gjithashtu këtë emër ka mbajtur revista dhe klubi i letrarëve të rinj me bazë në këtë institucion që solli në vemendje përgjatë viteve 2000, një gjeneratë të re të shkrimtarëve, poetëve dhe kritikëve.
“Oaza” synon të jetë një hapësirë e cila do të mundësojë mënyra të tjera të shprehjes. Redaktorët e revistës janë shprehur kështu: “Tani duhet të nisë periudha e ‘normalitetit’, dhe duhet kuptuar se letërsia e ka kryer detyrën e saj ndaj krijimit të identitetit kombëtar, historisë kombëtare dhe drejtimit të luftës çlirimtare dhe letërsia duhet t’i rikthehet artit të shkrimit.”
OAZA rihapet në Qendrën për Praktikë Rrëfyese në korrik të vitit 2022 si një projekt-bibliotekë me bazë në komunitet me një program të larmishëm me aktivitete kolektive duke filluar nga seancat e leximit dhe punëtoritë e vetëbotimit tek lojërat me komunitetit.
Thelbi i bibliotekës është një koleksion librash kushtuar temave të ndryshme të trajtuara në mënyrë të përsëritur gjatë procesit të hulumtimit para-bienal. Këto informacione janë mbledhur nga një grup specialistësh dhe aktivistë me kontributin e qytetarëve dhe banorëve duke ndjekur një qasje gjithëpërfshirëse që ngre pyetje mbi hierakitë standarde të diturisë.