Katalin Ladik
Kur i kërkojnë ta përkufizojë praktikën artistike, Katalin Ladik ka përgjigje të qartë: “Para së gjithash, unë jam poete. Vazhdimisht përpiqem t’i zgjeroj kufijtë e poezisë”. Duke bërë kështu, artistja pioniere e tingullit dhe performancës shpesh është gjetur duke i shtyrë po njësoj edhe kufijtë e tjerë, qofshin ata muzikorë, gjuhësorë, truporë a të perceptimit. Phonopoetica [Fonopoetika] është njëri nga udhëtimet e saj më të njohura në një tjetër fushë të tingullit dhe të shenjëzimit. Disku, i publikuar në vitin 1976, përmban interpretime fonetike të poezisë pamore eksperimentale. Ladik kombinoi elementet rituale vokale dhe gjuhësore me rënkime, psherëtima, klithma dhe forma të tjera trupore të shprehjes, duke shtuar fragmente regjistrimesh të xhazit nga shiriti i hedhur që kishte gjetë në koshin e studios së incizimit. Shpënia e komunikimit në skajshmëri – siç tregon qartë rekordi i Ladikut – krijon forma të reja spekulative të të shprehurit vokal dhe mundësi të panumërta imagjinative.
Katalin Ladik (1942, HU) e konsideron veten, më së pari, poete. Përmes punës së saj, ajo përpiqet në mënyrë të vazhdueshme të përhapë kufijtë e poezisë. Pavarësisht materialit që ajo përdor, qëllimi është të portretizojë një mesazh poetik mes saj: t’i japë zë poezisë me zërin e saj, të punojë në poezi konkrete mes punëve të saj vizuale dhe kolazheve dhe perfomanca multimediale poetike me trupin e saj.
Ajo merr frymëzim nga hapësira shumëkulturore dhe prejardhja që ka. Të gjitha perfomancat e Ladik janë të bazuara në metaforën e rënies në nënbotë, ritualin e rilindjes dhe të gjenezës, motivin e androgjinisë dhe shprishjen/deformimin e fytyrës. Fytyrat e paraqitura tregojnë veten tonë, maskat mund të gjenden në secilin prej nesh.
Lidhja mes vizualitetit, objekteve, tingujve dhe lëvizjeve janë esenca e punës së saj. Praktika artistike e Ladik bazohet në lëvizje, transformim, ndryshim në natyrë dhe univers.
Punimet
Phonopoetica
1976
Regjistrim zanor, 14:54 min, në disk vinyli 7 inçësh, Ø 17,5 cm
Mundësuar falë artistes dhe galerisë abc, Budapest