Alketa Xhafa Mripa

1980, RKS Website
In the Name of the Father, 2015, © Alketa Xhafa Mripa. Photo © Manifesta 14 Prishtina / Majlinda Hoxha
In the name of the father, 2015. © Alketa Xhafa Mripa

Veprimi i fundit i kësaj bote që njerëzit kryejnë tradicionalisht për ata që i duan është t’ua lajnë trupin përpara varrimit. Larja e tillë rituale, e njohur si abdes, është e zakonshme për shumë besime, mes tyre për judaizmin, hinduizmin, budizmin dhe islamin. E veçanta e islamit është se pastrimi dhe purifikimi kryhen nga anëtarët e ngushtë të familjes. Rëndom, gratë e lajnë trupin e grave dhe burrat trupin e burrave, përveç në rastin e bashkëshortëve. Në videon minimaliste In the Name of the Father  [Në emër të atit], Alketa Xhafa-Mripa e përshtat këtë ritual, së pari duke e kryer ndërsa babain e ka gjallë – dhe prandaj ende në gjendje ta ndiejë dashurinë që përcjell prekja e saj – dhe së dyti duke e kapërcyer ndarjen gjinore. Në të njëjtën kohë, ky akt i thjeshtë intimiteti dhe kujdesi eksploron marrëdhëniet patriarkale të pushtetit duke ekspozuar dobësinë dhe cenueshmërinë e babait, njërit prej artistëve më të arrirë të Kosovës. Ajo që bie në sy – dhe prek – është pëlqimi i babait për t’u ekspozuar: në emër të vajzës së vet.

Alketa Xhafa Mripa (1980, RKS) është një artiste konceptuale dhe aktiviste kosovare. Puna e saj hulumton temat e mëmësisë, grave, marrëdhënieve gjinore, kujtesës dhe trupit përmes një sërë mediumesh artistike.

Qasja e Xhafa Mripës pasqyron përvojat e saj personale dhe kolektive; dëgjimi i sprovave të të tjerëve nga një këndvështrim subjektiv kthehet në hapësirën nga e cila ajo merr motivimin. Nëpërmjet punës së saj, ajo vazhdimisht eksploron dhe angazhohet në mënyrë krijuese në biseda që kanë rëndësi për komunitetin.

Si një grua dhe një artiste e përkushtuar, Xhafa Mripa përdor praktikën e saj artistike për të krijuar platforma dhe bashkëpunime në lidhje me çështjet kolektive për të cilat ka interes. Ajo përpiqet të përdorë një gjuhë artistike që inkurajon diskurse të reja kolektive për të sfiduar shtypjen dhe padrejtësinë brenda komuniteteve të ndryshme. Procesi i saj artistik eksploron debate politike dhe sociale duke i ftuar të tjerët të përdorin zërin e tyre dhe të bëhen krijues të ndryshimeve, duke nxitur bërjen e një shoqërie më të barabartë.

Punimet

Alketa Xhafa Mripa
In the Name of the Father 
2015 

Video, 7 min. 
 
Mundësuar falë artistes