Thirrje e Hapur – Vera e fanta-shkencës: Punëtori të shkrimit kreativ, ligjërata dhe zinë “KSci-Fi”
StoryLab, si pjesë e Manifesta 14 Prishtina, ju fton të aplikoni për një seri 7-javore të punëtorive të shkrimit kreativ dhe ligjëratave me vëmendje të veçantë në fantashkencë. Në fund të këtij programi pjesëmarrësit do të kenë të përpiluar nga një shkrim që do të publikohet në zinën e ardhshme “KSci-Fi”.
Nëse jeni të apasionuar pas cyperpunk-ut, operave hapsinore, fantashkencës mjedisore, trillit spekulativ, fantazisë, kritikës, eseve personale mbi fantashkencën, apo për ndonjë eksperiment hibrid që i përzien të tëra — atëherë, KSci-Fi është hapësira (dhe koha) për ju!
Edhe pse shkrimi i zhanrit fantastiko-shkencor nuk është shumë i përhapur në Kosovë, StoryLab beson se zhvillimi i tij është thelbësor. Në një demokraci të re, si Kosova, ndonjëherë është më e lehtë të komentohet dhe hulumtohet mbi zhvillimet shoqërore përmes një “filtri” letrar ku shfaqen robotë, anije kozmike, hakerë, apokalipse mjedisore, multiverse dhe realitete alternative, utopi dhe distopi, eksplorime të potencialit të mendjes, dhe shqyrtime mbi hapësirën dhe kohën.
Koha dhe Vendi:
Ky program 7-javor do të përmbajë punëtori të shkrimit krijues, ligjërata, dhe diskutime në grup.
Punëtoritë dhe ligjëratat do të mbahen fizikisht në Qendrën për Praktikë Rrëfyese, në institucionin e ri ndërdisiplinor e permanent, hapësirë e Manifesta 14 Prishina në ndërtesën e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani”.
Programi pritet të fillojë në fund të korrikut 2022 dhe të përfundojë në fillim të shtatorit 2022.
Formati:
Punëtoria e shkrimit kreativ do të drejtohet nga Artrit Bytyçi, M.F.A në Shkrim Kreativ nga The New School në New York City.
Punëtoria do të shtrihet në shtatë sesione me rreth 10-14 pjesëmarrës të cilët do të takohen një herë në javë.
Secilën javë, 2-3 studentë do të dërgojnë tekstet e tyre paraprakisht, të cilët do të komentohen dhe përpunohen në bashkëpunim me pjesëmarrësit e tjerë. Në secilin sesion do të mbahen diskutime dhe ligjërata mbi zanatin e të shkruarit, hulumtime të autorëve të ndryshëm dhe metodave që ata përdorin, si dhe komente, sugjerime dhe kritika konstruktive. Për secilin takim, do të ketë detyra të vogla leximi dhe shkrimi.
Tekstet e dërguara mund të jenë në gjuhën shqipe dhe/ose në gjuhën angleze.
StoryLab gjithashtu do të organizojë një seri ligjëratash krahas punëtorive, ku do të shqyrtohen tema që kanë të bëjnë me fanta-shkencën dhe se si ajo ndërlidhet me shoqërinë, mjedisin, feminizimin, artet, arkitekturën, muzikën etj.
Tekstet nga punëtoria do të përmblidhen dhe publikohen në numrin inaugurues të zinës “KSci-Fi”.
Aplikimi:
Afati i fundit për aplikim: 5 korrik, 2022
Klikoni këtu për të plotësuar Aplikimin.
Ky program është pa pagesë për pjesëmarrësit.
Nëse keni pyetje, ju lutemi, të na shkruani në adresën: KosovoStoryLab@gmail.com