Manifesta 14 do të organizohet në Prishtinë, Kosovë, në vitin 2022

03.05.2019

Më 3 maj 2019, në një konferencë zyrtare për shtyp të mbajtur në Prishtinë, Drejtorja e Manifestës, Hedwig Fijen, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Drejtorja e  Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi; zyrtarisht e shpallën Prishtinën si qytet mikpritës të Manifesta 14.

Bordi Mbikëqyrës i Manifesta zgjodhi qytetin e Prishtinës në Kosovë për shkak të rëndësisë gjeografike dhe gjeo-politike të Ballkanit në lidhje me historinë bashkëkohore të Evropës dhe të ardhmen e saj. Në historinë e tij relativisht të re si kryeqytet i shtetit më të ri kombëtar të Evropës, qyteti i Prishtinës ka përjetuar transformime të mëdha në peizazhin e tij nga politikat e papërmbajtura neoliberale të privatizimit të hapësirave të hapura urbane. Manifesta synon të mbështesë qytetarët e Kosovës në ambiciet e tyre për të rikthyer hapësirën publike dhe për të rishkruar të ardhmen e qytetit të tyre si një metropol me mendje të hapur në zemër të Ballkanit.

Prishtina paraqet një vendndodhje unike për të parë të kaluarën dhe për të menduar për sfidat aktuale me të cilat po përballet Evropa nga një perspektivë e papritur dhe heterogjene. Kjo qendër urbane që po ndryshon me shpejtësi në udhëkryqin ndërmjet Evropës Jugore dhe Lindore do të mundësojë që Manifesta 14 të hetojë se si kultura bashkëkohore dhe praktikat sociale mund të adresojnë identitetin e një vendi që është po i përbërë dhe polimorfik.

Foto nga Ferdi Limani

Prishtina u përzgjodh nga Manifesta për të organizuar edicionin e 14-të të bienales bazuar në ofertën e fortë të dorëzuar nga Qyteti i Prishtinës. Bordi pranoi oferta nga qytete të ndryshme evropiane dhe më pas ndërmori hulumtime të hollësishme për secilin nga  kandidatët, duke përfshirë udhëtimet hulumtuese, si pjesë të procedurës së përzgjedhjes. Përzgjedhja e qytetit nikoqir tri vite para bienales është pjesë e një strategjie që mundëson angazhim më të madh me rajonin pritës dhe ndërton lidhje ndërmjet qyteteve nikoqire.

Shpend Ahmeti, Kryetar i Komunës së Prishtinës:

“Qyteti jonë është krenar dhe ka nderin të organizojë Manifesta-n në vitin 2022. Në një vend ku 50 për qind e popullatës së saj mikpritëse janë më të rinj se 25 vjeç, ku arkitektura osmane përzihet me filozofinë neoliberale të pasluftës, ka shumë për të diskutuar, ka shumë për të bërë dhe ka shumë hapësirë publike për të rimarrë. Manifesta është ajo që na duhet jo vetëm për të nxitur një diskutim të sinqertë për drejtimin e qytetit, por edhe si një shembull i rilindjes së qyteteve, artit dhe arkitekturës në Ballkanin Perëndimor. Manifesta ka dhënë përgjigjen më të rëndësishme për ofertën tonë – Ballkani është Evropë dhe ne mund t’i kontribuojmë debatit.”

Hedwig Fijen, Drejtoreshë e Manifesta-s:

“Siç është shprehur edhe në ofertë, Kosova duket se po kalon nëpër revolucionin e vet të heshtur në aspektin e lëvizshmërisë. Një rritje në shkëmbim ndërmjet rajonit të ri rivitalizon marrëdhëniet historike, por edhe krijon lidhje befasuese. Kjo liri për të lëvizur brenda rajonit u ka dhënë kosovarëve një mënyrë të re për të menduar për veten e tyre, si e organizojnë jetën e tyre dhe si e përjetojnë veten e tyre në lidhje me rajonin dhe botën në përgjithësi. Përveç kësaj, Kosova nuk ndodhet vetëm brenda territorit të vet sovran, por manifestohet edhe me një diasporë të gjallë në tërë botën. Paraliza kulturore, ligjore dhe politike e viteve 1990 rezultoi në një humbje të ndjenjës së hapësirës publike dhe një mungesë të njohjes, gjë që është e zakonshme. Uroj që Manifesta të mund t’i ofrojë Prishtinës mjetet për të rindërtuar, ripërcaktuar dhe për të rikthyer një hapësirë publike të radikalizuar dhe të larmishme, që duket sikur edhe sot cilësohet si një vepër kulturore subversive, dhe e cila mund të bëhet një thirrje për ndryshim.”