Ju prezantojmë me Rilindjen!
Në Prishtinë këtë verë të gjithë janë të ftuar të vizitojnë Manifesta 14!
Shtypshkronja “Rilindja” do të jetë një prej 22 hapësirave në të cilat do të mbahen ndërhyrje artistike përgjatë programit 100 ditor të bienales. E njohur si Rilindja, kjo ndërtesë ka qenë shtëpi për gazetën dhe për shtëpinë botuese që mbajnë të njëjtin emër.
Kjo ndërtesë dhe strukturat kryesore që operonin në të kanë marrë emrin Rilindja, si formë e frymëzuar nga periudha e Rilindjes në kulturën shqiptare që ndodhi në fund të shekullit të XIX e që pati ndikim të jashtëzakonshëm në rrjedhën historike të rajonit. Përgjatë fundit të shekullit të XX, kjo ndërtesë ishte ndër më të lartat në Prishtinë. Shtypshkronja “Rilindja” është gjithashtu pjesë e valës së nisjes të zhvillimit të stilit brutalist të arkitekturës në Kosovë.
Gazeta “Rilindja” nisi të publikohej më 1945 dhe ishte gazeta e parë e shkruar në shqip që shpërndahej në Kosovë. Ndërtesa e Rilindjes u ndërtua në vitin 1971 dhe ishte hapësirë për publikimin e periodikëve, revistave e gazetave të tjera si: “Jeta e Re”,“Përparimi”, “Fjala”, “Pionieri”, “GEP”-I, “Shkëndija”, “Kosovarja”, “Thumbi” dhe“Bujku”. Si shtëpi shtypi ishte hapësira e dytë më e madhe në Ballkan përsa i përket kapacitetit dhe qarkullimit duke arritur 234, 000 kopje dhe lexues.
Gazeta “Rilindja” botohej prej 20 vitesh para shtëpia botuese me të njëjtin emër të niste punimet duke shenuar një periudhë të rëndësishme në zhvillimin kulturor, raportimin gazetaresk dhe publikimin në Kosovë. Kjo hapësirë mblodhi bashkë zëra të ndryshëm shkrimtarësh, aktorësh kulturorë, redaktorësh dhe intelektualësh të cilët krijuan rrymën e tyre të modernizmit në vitet 1970.
Autorë si Teki Dervishi, Ramiz Kelmendi, Esad Mekuli, Anton Pashku, Fahredin Gunga publikuan librat e tyre të parë në Rilindje dhe u njohën si shkrimtarë gjatë viteve të punës në Pallatin e Shtypit “Rilindja”.
Rilindja nuk ishte thjeshtë një hapësirë për eksperimentim editorial, por i dha gjithashtu guxim vajzave të reja të edukoheshin përmes trajnimit dhe kursve mbi aspektet teknike të publikimit. Ky program ndihmoi gjithashtu praktikues të kulturës të aftësoheshin dhe të punonin me mjetet më të mira në rajon.
Më 8 gusht 1990, Rilindjes iu ndalua operimi prej autoriteteve serbe dhe punonjësit e këtij institucioni u shkarkuan prej vendeve të tyre të punës. Gazeta të pavarura e të vetë financuara vazhduan veprimtarinë e tyre në Kosovë përgjatë viteve ‘90 ndërkaq gazeta “Bujku” e zëvendësoi Rilindjen, si një version tjetër i rezistencës së botës editoriale në Kosovë.
Pas rënies së ish-Jugosllavisë veprimtaria e publikimit u zbeh deri në mosveprim. Kjo ndërtesë sidoqoftë vazhdoi të ishte e përdorur në aspekte të ndryshme për rreth 20 vite. Në vitet e pasluftës, Rilindja u privatizua dhe gjithë mjetet e makineritë u zhvendosën prej ndërtesës.
Ky aksion shkaktoi zemërim në komunitetin kulturor dhe nga institucione të kësaj fushe duke e denoncuar privatizimin e duke theksuar vlerat e pashlyeshme të ndërtesës dhe çka Rilindja përfaqëson. Përgjatë viteve të fundit kjo ndërtesë u kthye në një vend alternativ të kulturës alternative përmes kolektivit Hapësira i cili zhvilloi një seri të evente të muzikës elektronike aty.
Sot në ndërtesën e Rilindjes gjenden katër ministri, një klub nate, dy stacione televizive dhe një palestër.
Si një nga hapësirat e Manifesta 14 Prishtina, Rilindja do të jetë sërish vend për ndërhyrje artistike dhe diskurs kulturor.