Ju prezantojmë me Muzeun e Kosovës!

17.05.2022
Manifesta 14 vazhdon të prezantojë hapësirat në të cilat do të mbahen ndërhyrjet artistike dhe urbane përgjatë programit 100 ditor në Prishtinë këtë verë. Sot, ju paraqesim Muzeum e Kosovës,një ndërtesë që i dedikohet historisë dhe kulturës së pasur e të gjallë të këtij vendi. Ky muze i hapur në vitin 1949, është një prej institucioneve më të vjetra kulturore dhe historike në Kosovë.
 
Koleksioni i këtij muzeu përfshin zbulime arkeologjike, dokumentacione historike, artefakte etnografike të cilat zbulojnë më shumë mbi qëndrimin e shqiptarëve në këto territore ndër kohëra e deri tek zhvillimet më të rëndësishme të fundme në Kosovë dhe rrjedhën e tyre.
 
Kjo ndërtesë është e vendosur në atë pjesë të qytetit që lidh Qytetin e Vjetër me qendrën e Prishtinës. Mban një stil specifik arkitekturor që i përket periudhës së ndikimit austro-hungarez që nënkupton veçantësinë e saj krahasuar me zhvillimet e tjera urbane në kryeqytet. Më parë se të ishte një qendër për kulturën dhe historinë, në hapësirat e saj qëndronte selia e bazës ushtarake.
© Manifesta 14 Prishtina | Atdhe Mulla

Pranë Muzeut të Kosovës mund të përkapni një pjesë të Prishtinës së vjetër. Pranë saj gjendet kompleksi Emin Gjiku që është gjithashtu një zgjatim i këtij muzeu që shpreh kulturën dhe stilin e jetesës së familjeve në shekullin e 18-të në këtë qytet. 

Sot, vizitorët mund të gjejnë pranë muzeut, në katin e tretë, Muzeun Arkeologjik. Ky muze ka për synim të shfaqë kërkime, gjetje, objekte, fotografi dhe dokumentime të Kosovës e gjithashtu ofron një hapësirë për edukim, zbulim dhe kërkim shkencor për komunitetin. 

Përbrenda muzeut mund të gjeni trazirat e arritjet e Kosovës. Një nga pjesët më interesante të vizitës në këtë muze është dhe mundësia për të vërejtur dokumentimet dhe fotografitë që tregojnë momente të pavarësisë së Kosovës, që gjenden në katin e dytë. 

Për 100 ditë duke nisur që këtë verë, Muzeu i Kosovës do të jetë një nga hapësirat që e plotëson hartën e Manifesta 14 Prishtina.