Prezantojmë: Ndërmjetësimi Kulturor dhe i Arteve

25.11.2021

Në përgatitje për Thirrjen tonë të Hapur për Ndërmjetësim Kulturor dhe Artistik, ne prezantojmë konceptin e Ndërmjetësimit Kulturor dhe se si mund të përfshiheni në Shkollën e parë të Ndërmjetësimit në Kosovë.

“Sfida kryesore [e ndërmjetësimit] është të shpjegoj pa shpjeguar… qëllimi im në vizitat e mia ishte t’u tregoja njerëzve se nuk ka përgjigje të drejta apo të gabuara, thjesht ka shtresa të ndryshme të leximit të një projekti” –  Ndërmjetësues nga Manifesta 13 Marseille

Çfarë është Ndërmjetësimi Kulturor?

Ndërmjetësimi është njëkohësisht një qasje kritike dhe një mënyrë praktike e komunikimit dhe ‘ndërmjetësimit’ midis audiencës, veprave të artit dhe hapësirave.

Ndërmjetësimi kulturor dhe i artit sugjeron trajtimin e çdo personi si ekspert në përvojën dhe kulturën e tyre. Kjo kundërshton idenë e zakonshme të edukimit si transferim i njohurive “objektive” nga një person më i informuar tek një person më pak të informuar.

Kur i referohemi artit dhe ndërmjetësimit kulturor, ne i referohemi procesit të përvetësimit ose negocimit të njohurive në kontekste artistike. Kjo mund të përfshijë krijimet artistike, kontekstin dhe njerëzit që ndeshen me këto mjedise. Në çdo qytet nikoqir, Manifesta eksploron praktikat ekzistuese në fushën e ndërmjetësimit kulturor, prodhimit të njohurive dhe edukimit, duke imagjinuar qasje të mundshme së bashku me një ekip lokal ndërmjetësuesish.

Çfarë trajnimi do të ketë për ndërmjetësuesit?

Nga shkurti deri në hapjen e bienales në korrik 2022, do të ketë një seri prej gjashtë fundjavash trajnimi me pagesë, e njohur si ‘Shkolla e Ndërmjetësimit’. Sesionet e Shkollës së Ndërmjetësimit do të fokusohen në reflektimin mbi projektin e Manifesta 14 Prishtina, si dhe në bashkë-zhvillimin e qasjeve ndërmjetësuese për kohën kur ekspozita është e hapur për publikun.

Biblioteka Hivzi Sylejmani, Fabrika e Tullave, Grand Hotel dhe Sheshi Adem Jashari janë disa nga vendet kryesore të propozuara për bienalen e ardhshme. Këto hapësira dhe konteksti i tyre do të eksplorohen gjatë Shkollës së Ndërmjetësimit. Trajnimi përgatit ndërmjetësuesit për të facilituar ndërveprimin midis këtyre hapësirave dhe vizitorëve.

Pas këtij trajnimi, ju do të keni zhvilluar aftësitë dhe qasjet për të praktikuar ndërmjetësimin kulturor dhe artistik në Manifesta 14 Prishtina dhe në mjedise të tjera kreative profesionale.

Çfarë do të bëj si ndërmjetës?

Pas trajnimit bashkëpunues të Shkollës së Ndërmjetësimit, ju do të punoni si Ndërmjetësues në hapësirat kryesore të Manifesta 14 Prishtina. Ju do të angazhoheni drejtpërdrejt me publikun, përmes praktikave të ndryshme si ecje, turne dhe punëtori. Në vend që të shpjegoni ose mësoni për veprat e artit, ju do të jeni në dialog me audiencën rreth asaj se çfarë do të thotë vepra për ta, kontekstin e tyre individual dhe kontekstin ku ndodhet Manifesta 14. Ju gjithashtu do të lehtësoni projektet e angazhimit të bazuara në komunitet.

Pse duhet të bëhem ndërmjetësues?

Bashkimi me ekipin tonë të Ndërmjetësuesve të Kulturës dhe Arteve do t’ju japë mundësinë për të zgjeruar aftësitë tuaja në facilitim, hulumtimin kolektiv dhe angazhimin e audiencës brenda arteve. Do të punoni brenda Departamentit të Edukimit dhe Ndërmjetësimit dhe do të jeni pjesë e një mjedisi kulturor emocionues dhe ndërkombëtar.

Vlerësime nga ndërmjetësit e Manifesta 13 Marseille

Fakti që secili prej nesh vinte nga fusha të ndryshme e pasuroi shumë përvojën. Ne sollëm atë që kishim brenda vetes, kulturën tonë dhe mënyrën tonë të të parit të botës. Ndërmjetësimi është, pra, një mjet për shkëmbim dhe takime.”

Ajo që mësova nga puna si ndërmjetës gjatë Manifesta 13 është se ju kurrë nuk jeni vërtet të përgatitur për “disponimin” e audiencës tuaj, nëse mund ta quaj kështu. Takimet e ndryshme me njerëzit më bënë të rris aftësinë time për të dëgjuar, të kuptoj se si duhet ta drejtoni grupin tuaj drejt të kuptuarit se cila është energjia e tyre në vend që të shpërndani një fjalim të përgatitur paraprakisht. Mendoj se trajnimi për këtë ishte një test i mirë, për të mësuar “strategji” në një menyrë, por edhe për të qenë në rregull me faktin se nuk dini gjithçka, por keni mundësinë me grupe të krijoni forma të mësuarit kolektiv, shkëmbimit…”